Xhubleta malësore

“Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gurë, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë”

Malësia e Madhe, si një qendër e hershme e banuar ka ruajtur dhe trashëguar kulturen e saj në breza, në përputhje me kushtet historike, ekonomike dhe natyrore të saj.  Një nga karakteristikat e kulturës materiale të Malësisë së Madhe është xhubleta, e cila përfaqëson një nga kostumet më interesante të grave në të gjithë ballkanin dhe në brigjet e mesdheut. Shumë studiues të huaj e vendas prejardhjen e xhubletës e shohin të periudhës së qytetërimit Kreto – Mikenas. Pra ajo është dëshmitare e një qytetërimi të lashtë mesdhetar, pasi vjen nga më shumë se 4000 vjet histori.

Xhubleta është një veshje e punuar nga shajaku (zhguni) në katër liq, e zbukuruar me fije spiku të zi e me një formë kambane e valëzuar, sidomos pjesa e prapme e saj. Me gjatësinë deri nën gju dhe me pjesët e tjera të veshjes deri te koka me rubën (shaminë) e mëndafshit (mnashit), me krahoca të vendosur lirshëm, trupi i malësores merr formën e një maje bjeshke që aq bukur ngjishet për truallin malësor, duke krijuar një qëndrim sa madhor, aq edhe krenar. Në shek. XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardh e zi për vajzat. Te xhubleta janë përdorur ari, argjendi, mëndafshi, apo kadifja vishnje që njihej në të gjithë Evropen si veshje vetëm e aristokratëve. Në misterin e xhubletës janë një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te zoti, dashurinë dhe bukurinë e femrës malësore. Emblema më e dukshme për të gjitha është shqiponja.

Si veshje e përdorimit të përditshëm në malësitë e Alpeve Shqiptare, xhubleta erdhi deri në vitet 1950 -1960. Por, pas kësaj periudhe, qeveria komuniste e ndaloi përdorimin e saj në emër të emancipimit të grave dhe vajzave, prandaj mendohet që xhubleta ka rreth 70 vjet që nuk prodhohet më. Për këtë arsye, xhubleta duhet të merret në mënyrë urgjente në mbrojtje nga UNESCO si pasuri e të gjithë njerëzimit. Jo pse një nga veshjet shqiptare nuk po mbrohet nga UNESCO, sepse bota ka shumë veshje. Por jo! Bota nuk ka veshje si xhubleta, nuk ka një të dytë si xhubleta!

Sapo e shikon xhubletën e Malësisë së Madhe, ajo të tërheq me madhështinë solemne të saj, -shprehet studiuesja Andromaqi Gjergji, e cila me të drejtë thotë “Xhubleta….fund të krekosur e të valëzuar. Sa hijerëndë, burrërore, stoike dhe e fortë si malet, të duket gruaja nën këtë veshje.”

Xhubleta bën jetën muzeale, por edhe përdoret sot e kësaj dite. Autori hungarez Daniel Kornidez thotë “As palloi e as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e grave Kelmendase”.

Biografia dhe gjeografia e xhubletës shqiptare malësore është fokusuar nga një larmi e gjerë studimesh të ndryshme që nga fillimi i shek. XVIII nga letrari hungarez Daniel Kordinez, pasuar nga baroni austriak Franc Baron Nopça, Edith Durham, dhe për të vazhduar me shumë autorë shqiptarë e të huaj të kohërave më të vona, B. Jubani, A. Gjergji, Dr. Agim Bido, etj. Zona që ka përdorur xhubletën është Malësia e Madhe dhe Dukagjni, disa fise të nën Shkodrës të zbritura nga Malësia, shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të Rugovës në Kosovë.

“Xhubleta është amanet që ne duhet ta ruajmë për ata që s’kanë ardhur ende dhe që kanë të drejtë ta gjejnë këtu kur të vijnë”,  – shprehet studiuesja Linda Spahiu xhubleta malesore 1xhubleta malesore 1xhubleta malesore 1

About Author

admin