UJI I KUQ

Në Vermosh ndodhet një burim që quhet Uji i Kuq. Në kohën kur në Kelmend po vendoseshin kufijtë, Mali i Zi kërkonte të merrte atë pjesë të Vermoshit ku ndodhej dhe ky burim. Gjatë bisedimeve që po bënin krerët e Malit të Zi me krerët shqiptarë, ku ndër ta ishte edhe Prekë Cali, malazezët pretendonin që ky vend ishte i tyre dhe donin ta merrnin. Prekë Cali u thotë që ky vend quhet Bjeshkët e Kuqe dhe nga vetë fjala është pjesë e Shqipërisë. Malazezët nuk e pranonin këtë, ata thonin se vendi quhet Bjeshkët e Kuçit dhe se u përkiste atyre. Atëherë Prekë Cali u thotë:  “Ky vend quhet Bjeshkët e Kuqe sepse këtu rrjedh ujë i kuq”. Atëherë malazezët meqenëse u dukej e pabesueshme thanë: “Në qoftë se kjo është e vërtetë, kufijtë do vendosen si të thuash ti. Të gjithë bashkë shkuan tek burimi dhe panë që me të vërtetë buronte ujë i kuq. Kështu që kufijtë u vendosën siç kërkoi Prekë Cali. Dhe sot e kësaj dite në Vermosh ekziston ky burim ku rrjedh ujë i kuq.

About Author

admin