Shkrel

Njësia Administrative Shkrel – Malësi e Madhe

“Në studimet që kam bërë, për të mësuar diçka mbi fisin e Shkrelit dhe shkrelasit, kam patur po aq pak sukses sa Hahni dhe Hecquardi”,  – thotë një studiues i famshëm i kësaj zone, Franc Baron Nopça.

Shkreli është njësi administrative e Bashkisë Malësi e Madhe, rreth 10 km në verilindje të Koplikut dhe vetëm 20 km nga Shkodra, me një sipërfaqe prej 20,282 ha. Shkreli ka qënë një fis ilir i ardhur në këtë zonë në shek. XI nga trojet dalmate, të cilët kur u vendosën këtu gjetën kater fise të vogla: Xhaji (fis i Dukagjinit), Vukelajt, Kolajt dhe Kapllajt. I pari i shkrelasve që erdhi në këto troje ishte Lek Shkreli me kater djemtë e tij, me të cilët krijoi kater fshatrat e mëdha Vrrithi, Dedaj, Bzheta dhe Zagora, ndërsa tani Shkreli ka 12 fshatra: Dedaj, Bogë, Bzhetë, Bzhetë – Makaj, Lohe e Sipërme, Vrrith-Razem, Vuç – Kurtaj, Zagorë, Qafëgradë, Reç, Repisht, Kokpapaj

Që në v. 2015, pushteti lokal në bashkëpunim me një institucion ndërkombëtar e kanë shpallur Shkrelin Park Natyror Rajonal, ndërsa me ligjin e ri quhet Park Natyror Bashkiak, por ndryshe njihet edhe si “Porta hyrëse e Alpeve”. Nëpër Shkrel kalojnë dy rrugë të rëndësishme turistike: njëra për në Theth dhe tjetra për në Razem, dhe i gjithë parku përshkohet nga kanioni i Përroit të Thatë.

Popullsia në këtë zonë ka pasur luhatje të shumta, ku rënien më të madhe të popullsisë e vëmë re gjatë luftrave ballkanike, më pak se 300 familje, numër që rritet ndjeshëm në v.45-90 duke shkuar në 1500 familje, për të nisur pastaj rënien e pandërprerë deri në ditët e sotme ku numërojmë vetëm 881 shtëpi të banuara (statistikë e zhvilluar në verën e v.2017 nga VIS Albania).

Nga pikëpamja arkeologjike, Shkreli është i njohur për vendbanimin e fortifikuar të Marshejit, i periudhës së parë të hekurit, por materiale të ndryshme arkeologjike janë gjetur në shumë vende të tjera, gjë që vërteton vendbanimin e hershëm të kësaj krahine, e po ashtu Kalaja e Ballexës, një tjetër vendbanim i hershëm i njohur nga historia jonë.

“Çdo shtëpi në Shkrel priste miq. Pas darkës këndonim këngë shqiptare që janë të pashoqe”, shprehet Edith Durham në një shkrim të saj, një traditë që vazhdon edhe në ditët e sotme, ku Reçi, nën hijet e gështenjave ka zhvilluar turizmin e restoranteve, Razma mes pyllit të pishave ka zhvilluar turizmin e hoteleve, dhe Boga përgjatë luginës së saj ka zhvilluar bujtinat dhe kampingjet, për të mikëpritur miqtë e vjetër të kësaj zone,  të cilët mund t’i shijojnë të tre këto fshatra brenda një dite, pasi distanca midis tyre është vetëm 20 minuta, duke udhëtuar kudo përkrah Kanionit të Përroit të Thatë.