SHKODRA LAKE TOUR

SHKODRA LAKE TOUR

Niseni nga qyteti i Koplikut në drejtim të fshatit Stërbeq, pas 10min do gjendeni në bregun e liqenit ku ju presin peshkatarët. Pasi zini vend në sulet e tyre, niseni në drejtim të Syrit të Sheganit. Gjatë xhiros me sule në liqenin e Shkodres, peshkatarët do ju flasin për veprimtarinë apo rutinën e tyre të përditëshme dhe vështirësitë apo kënaqësitë që lidhen me këtë profesion. Pasi mbërrini në destinacion dhe shijoni bukuritë natyrore, mund edhe të hani një vakt aty me gatime lokale të fshatit, duke përfshirë edhe peshkun.

Syri i Sheganit është një burim karsitik që gjendet në Bajzë të Malësisë së Madhe, i cili është gjithashtu një monument natyre. Ka ujë të pastër dhe të ftohtë, që vjen nga ujërat karstike të Alpeve Perëndimore të Shqipërisë. Eksplorimet në këtë burim, që janë bërë nga polumbarë të huaj, kanë arritur deri në thellësinë 180m të rrugës që bëjnë ujërat e këtij burimi, më pas ata janë detyruar të kthehen për shkak të presionit të ujit. Synimi i polumbarëve ishte të gjenin lidhjen që ka Syri i Sheganit me dy hordhanat e tjera, sepse mendohet se diku në thellësi ujërat e tyre bashkohen. Aty ka një biodiversitet të larmishëm me bimë, peshq, zogj e gjallesa të tjera. Mrina (emërtimi në gjuhën popullore), është bima tipike e këtij habitati, me ngjyrë lejla dhe një aromë karakteristike. Këtu gjeni edhe Bilbilin e ujit, një zog shumë i bukur me ngjyra të theksuara blu e portokalli, i cili ushqehet me peshqit qe dalin nga rrymat ujore. Burimet krijojnë një mjedis shumë tërheqës me vlera shkencore (hidrologjike, speleologjike, gjeomorfologjike), didaktike, estetike dhe turistike.

Këto tre burime mund ti krahasoni me pishina natyrale, ku mund edhe të notoni në to. Megjithatë, duhet të bëhet shumë kujdes duke marrë në konsideratë thellësinë e tyre dhe temperaturat e ulëta të ujit. Për një eksperiencë edhe më magjike, sugjerojmë që mos ta humbisni perëndimin e diellit.

Kuriozitet: Me datë 13 Prill tek Syri i Sheganit organizohet Festa e Peshkut. Në muajin Prill fillon periudha e shumimit të peshkut dhe ndalohet me ligj peshkimi, kështu që në këtë ditë festohet pa peshk në shenjë sensibilizimi për komunitetin e peshkatarëve për të mos e demtuar peshkun në periudhën e shumimit.

Legjenda e Hordhanave:

(Si e kam dëgjuar nga moshatarët e mi.) Thuhet se dy hordhanat që ne shohim sot simbolizojnë dy shtëpi. Hordhana e madhe ka qenë shtëpia e një familje pasanikësh, ndërsa Hordhana e vogël ka qenë shëpia e një familje të varfër. Një natë feste një lypës troket në derën e shtëpisë së familjes pasanike, kur ata shohin se është një lypës ia mbyllin derën dhe nuk i japin asgjë. Lypësi largohet nga aty dhe shkon të trokasë në derën e shtëpisë së familjes të varfër. I zoti i shtëpisë, edhe pse nuk kishte asgjë as për tu dhënë fëmijëve, e fton lypsin dhe e mirëpret brenda. E zonja e shtëpisë kishte vendosur kakinin mbi zjarr dhe bënte sikur po piqte bukën, duke i gënjyer fëmijët derisa ti zinte gjumi. Lypsi ishte i dërguari i Zotit, pasi pa situatën e vështirë të familjes i thotë zonjës së shtëpisë: ˝Shikoje votrën se po ju digjet buka.˝ Zonja e habitur nga fjalët e tij, hap votrën dhe e shikon plot me bukë. Familjarët gëzohen pamasë, por pas asaj nate feste cdo gjë u shemb dhe i mbuloi uji duke u krijuar Hordhana e madhe dhe Hordhana e vogël.

(Si e kam dëgjuar në një program televiziv.) Thuhet se në këtë zonë kanë jetuar dikur tre vëllezër dhe kanë qenë përkatësisht tre shtëpia. Njëri nga vëllezërit quhej Shegan. Pasi kalon liqenin me sule, një udhëtar i natës mbërrin në këto brigje. Me shpresën për të kaluar natën aty, ai troket në shtëpitë e secilit nga vëllezërit. Fatkeqësisht, asnjëri nga ata nuk e fton brenda udhëtarin e natës, në këtë moment ai ju thotë: ˝Inshallah ju bëhet hordhanë.˝

Në gjuhën e vjetër fjala ˝hordhanë˝ do të thotë përmbytje apo vend i përmbytur, humnerë. Nga ky mallkim që morën tre vëllezërit u formuan më pas tre burimet, Syri i Sheganit dhe dy hordhanat tjera.

 

KONTAKT:

+355 (0)69 571 9099

+355 (0)69 3710132

About Author

laxaro