SH.B.B. AGRO-REÇI & INKUBATORI NË REÇ

Territori i Malësisë së Madhe i është kushtuar për dekada të tëra prodhimit dhe grumbullimit të bimëve mjekësore, si të kultivuara ashtu edhe spontane, grumbullimit të gështenjave, falë pranisë së një pylli gështenjash prej rreth 300 hektarësh në zonën e Reçit dhe Qafë Gradës, dhe mbarështimit të dhenve.

Me reformën agrare të vitit 1991 me ligjin nr. 7501, familjet e zonës u shndërruan në ndërmarrje të vogla bujqësore, por duke pasur parasysh mungesën e familjaritetit me ekonominë e tregut dhe sasinë e vogël të prodhuar nga secila familje, të ardhurat që vileshin nga këto aktivitete nuk ishin të mjaftueshme për të mbajtur familjen në mënyrë të denjë dhe të kënaqshme.

Një hap i parë për përmirësimin e gjendjes ekonomike u bë pesëmbëdhjetë vjet më parë, me themelimin e një shoqate për grumbullimin dhe tregtimin e gështenjave (Reçi Prodhimtar).

Përveç kësaj, 7 vjet më parë, e njëjta shoqatë ka punuar për ndërtimin e një baxhoje të vogël në zonën e Reçit, me mbështetjen e VIS Albania (nëpërmjet projektit “Veriu i Shqipërisë” MAE 8984/VIS/ALB) dhe SNV, duke siguruar kështu shitjen e sigurt të qumështit për blegtorëte zonës.

Deri më tani, një pjesë e aktivitetit për grumbullimin e gështenjave, bimëve mjekësore dhe frutave të pyllit, është kryer në mënyrë joformale për shkak të mungesës së një strukture të përshtatshme, vështirësi që gjithashtu ka detyruar shitjen dhe eksportin vetëm të lëndës së parë, duke ia lënë në këtë mënyrë vendeve të tjera vlerën e shtuar, që merret nga përpunimi i produktit.

Bëhet fjalë për produkte të destinuara pothuajse tërësisht për eksport.

Për këtë arsye u ra dakord të krijohej një kooperativë (SH.B.B. Agro-Reçi) që mundëson aktivitetin e grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të gështenjave, dhe të disa bimëve mjekësore dhe frutave të pyllit, për të bërë të mundur të merret në vend vlera e shtuar që përpunimi i tyre ofron.

Për sa i përket gështenjave, përvoja e fituar në pesëmbëdhjetë vitet e fundit ka konfirmuar se kërkesa e tregut ndërkombëtar është më e lartë se sa oferta, kështu që konkurrenca nuk ekziston. Grumbullimi dhe tregtimi i gështenjave në këto vite ka qenë mesatarisht 300 ton/vit, me një kosto mesatare për blerësin prej 120 Lekë /kg (të paguara direkt tek grumbulluesi) dhe një çmim shitjeje tek eksportuesi prej 140Lekë/kg.

Ndërsa për sa i përket shitjes me pakicë të bimëve mjekësore dhe frutave e pyllit dhe përpunimit të tyre, bëhet fjalë për një aktivitet i cili ka lindur më vonë dhe që lidhet me zhvillimin e turizmit malor në Veri të Shqipërisë dhe me pjesëmarrjen në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare (me kontributin dhe mbështetjen e VIS Albania nëpërmjet projektit “Bukë, Kripë e Zemër” – MAE 010170/VIS/ALB).

 

Sasia e bimëve mjekësore dhe frutave të pyllit të përpunuara është më e vogël krahasuar me atë të gështenjave, me produkte të përgatitura në nivel familjar, në mungesë të një strukture të përshtatshme prodhuese. Në mënyrë treguese, bëhet fjalë për rreth disa qindra kilogramë, me një rendiment të produktit të thatë të barabartë me 20% të produktit të freskët. Kostoja e produktit të freskët është mesatarisht 500 Lekë/kg, çmimi mesatar i shitjes së produktit të thatë është 5.000 Lekë/kg.

 

Aktualisht, SH.B.B. Agro-Reçi ka 9 anëtarë në bordin e saj, por me mbi 200 familje të përfshira në grumbullimin e gështenjave, 90 familje në grumbullimin e qumështit dhe 40 familje në grumbullimin e bimëve mjekësore.

 

Në vitin 2017, gështenjat dhe mjalti i gështenjave të Reçit janë regjistruar me Tregues Gjeografik.

SH.B.B. Agro-Reçi ka aplikuar për projektin e inkubatorit, me mbështetjen e VIS (dhe të projektit “Zana e Maleve” – AICS 011523/VIS/ALB), pikërisht për të punuar në fushat e mëposhtme:

  1. Përzgjedhje, tharje dhe përpunim i gështenjave. Linja e destinuar për gështenjat është e përbërë nga një pajisje kalibruese për përzgjedhjen e gështenjave, nga një mjedis për tharjen e tyre dhe një dhomë frigoriferike për ruajtjen dhe zgjatjen e periudhës së aktivitetit të lidhur me gështenjën, deri më sot i kufizuar vetëm në muajt shtator dhe tetor.
  2. Tharje dhe paketim i bimëve mjekësore dhe i frutave të pyllit (p.sh. kërpudha). Mjedisi i caktuar për tharjen mund të shfrytëzohet në fakt 12 muaj në vit, duke e shfrytëzuar atë për bimë mjekësore dhe fruta pylli, pasi ka përfunduar grumbullimi i gështenjave.
  3. Prodhim vajrash esencialë (në një fazë të dytë, me vënien në punë të linjave të tjera prodhuese).

About Author

admin