Rreth zones

Mjedisi dhe territori

Karakteristikat natyrore dhe klimaterike të kësaj zone kanë favorizuar zhvillimin e një flore dhe faune të pasur dhe të një bimësie pyjesh ahu dhe livadhesh subalpine, që krijojnë një efekt pamor veçanërisht tërheqës për cilindo që viziton këtë zonë.

Kjo zonë është gjithashtu e pasur me bimë mjekësore të të gjitha llojeve, bimë të maleve të larta siç janë sanëza, kaliboba dhe sherebela. Zona është e njohur, përveçse për boronicat dhe luleshtrydhet, edhe për prodhimet e saj tipike siç janë djathi i shijshëm dhe patatet.

Një kthim në të shkuarën, me shtëpitë prej druri dhe guri, të shpërndara mes ndarjeve të ndryshme të fshatrave, dëshmi të një kulture urbanistike malore, që këtu ka mbetur e paprekur, pa pësuar shtrembërime.

Një “pjesë” e së kaluarës, që e bën udhëtarin të përfshihet në një natyrë të paprekur, në shtigje jo gjithnjë të shenjuara dhe në hapësira livadhesh të mbuluara nga lulet, mes ngrohtësisë së natyrshme të zonës dhe mikpritjes së banorëve vendas.

Historia dhe kultura

Kelmendi dhe Shkreli kanë origjinë mjaft të hershme: gjetjet arkeologjike në territore të ndryshme të zonës dhe në shpellat e fshatrave Selcë dhe Vukël, në Kelmend, dhe ato të gjetura në fshatrat Dedaj, Zagorë, Lohe e Bzhetë, në Shkrel, dëshmojnë se të dyja zonat kanë qenë të banuara, respektivisht, në periudhën e neolitit dhe në atë të bronxit të hershëm.

Ka mendime të ndryshme në lidhje më origjinën nga rrjedh emri Kelmend: nga latinishtja Clemens-tis që do të thotë i urtë, i thjeshtë, i mirë ose nga emri i Papë Klementit (vitet 90-101), zëvendësi i tretë i Shën Pjetrit.

Fisi i Shkrelit dhe shkrelasit thonë se kanë ardhur si blegtorë nomadë prej viseve të epërme të Ballkanit, çka do të thotë nga territoret e Bosnjes së sotme dhe nga krahina e Sanxhakut të Novi Pazarit, ku jetonte fisi ilir i Dalmatëve. Me ardhjen e sllavëve në këto vise, rreth shek XII e.s., popullata autoktone u detyrua të shpërngulet drejt tokave të tjera ilire.

Gjuha

Banorët e Kelmendit dhe Shkrelit flasin në dialektin gegë. Termi “Gegë” tregon në përgjithësi dialektet e Veriut të Shqipërisë, që së bashku me dialektet e Jugut (Toskë) formojnë pasqyrën gjuhësore të Shqipërisë. Kufiri natyror që i ndan në vija të përgjithshme këto dialekte, është lumi i Shkumbinit, që kalon nëpër Elbasan, në Shqipërinë e Mesme. Dy dialektet kanë ndryshime fonetike dhe leksikore, por folësit kuptohen pa vështirësi njëri me tjetrin.

Gegërishtja nuk është një dialekt homogjen dhe çdo zonë ka ndryshuar dhe pasuruar fjalorin me terma tipikë të vendit duke ndjekur ndikimet e ndryshme historike (latine, serbe, turke, etj.).

Pavarësisht se shqipja është një nga gjuhët më të vjetra të Ballkanit, me origjinë ilire, ajo është dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në shekullin e XV. Libri i parë i shtypur në shqip është “Meshari” i Gjon Buzukut (1555), i shkruar në gegërisht.

Traditë dhe Folklor

Në fshatrat e Shkrelit dhe Kelmendit mbijetojnë ende sot kodet zakonore, Kanunet, që përkrah ligjit të Shtetit rregullojnë jetën e përditshme të familjeve. Falë edhe këtyre kodeve, shumë tradita dhe zakone të zonës janë ruajtur, dhe përfaqësojnë një prej aspekteve më tërheqës të këtyre komuniteteve.

Fshatrat, kryesisht blegtoralë, paraqesin një marrëdhënie të ngushtë me malin: fenomeni i zhvendosjes së tufave nga fushat në stane është pjesë thelbësore e ekonomisë së zonës dhe e ritmeve sociale të familjeve.

Mikpritja është një nga vlerat kryesore të shqiptarëve dhe pritja që i bëhet edhe turistëve është jashtëzakonisht e ngrohtë dhe mbresëlënëse. Ardhja e një miku në këto vende, ende sot, është një rast i shenjtë: sipas Kanunit, “shtëpia e një shqiptari është e Zotit dhe e mikut”.

Martesat, funeralet, lindjet dhe festat fetare vazhdojnë edhe sot të përjetohen gjerësisht në fshatra, me një pjesëmarrje të madhe nga i gjithë komuniteti.  Ngjarje të tilla shoqërohen me muzikë e këngë karakteristike, gatime me prodhime vendase, veshje tradicionale e vallëzime.

Këngët e vallet shoqërohen gjithnjë me vegla tradicionale akustike, të punuara në mënyrë artizanale, vegla të vogla e të lehta që i shkojnë për shtat jetës së bariut: çiftelia, lahuta dhe fyelli.

Veshjet tradicionale mbajnë mbi vete 4000 vjet histori, trashëgohen nga njëri brez tek tjetri dhe vishen ende sot gjatë momenteve më të rëndësishme. Veshja femërore quhet Xhubletë dhe është një veshje në formë këmbane, e bërë me rripa shajaku të zi, e qëndisur imtësisht me ar e argjend. Veshja mashkullore quhet Çakshir, është e bardhë, e ngushtë dhe elegante, e qëndisur në anët e saj me spik të zi. Mbi rripin me ngjyrë burri mbante gjithmonë koburen e tij të zbukuruar me serm.

Tradita kulinare është e thjeshtë, por shumë e ndjerë. Prodhimet e natyrës (mishrat, djathrat, rakia, etj.) i shërbehen mikut në sasi të bollshme me synimin për ta nderuar e respektuar.

Instrumentat muzikor

Instrumentet muzikore tradicionale janë një nga pasuritë e rralla të kulturës shqiptare. Mjeshtëria e punimit të veglave muzikore përbën një zeje të veçantë, në zejtarinë shqiptare. Punimi i instrumenteve muzikore fillimisht bëhej vetë, nga çdo familje me mjete rrethanore si p.sh. me gjethe, me barëra, me bimë të ndryshme, me brirë, me lëkurë kafshës , me gurë, me hekur etj. Në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillim shek.XX, filluan të hapen dyqanet e para të punimit të veglave muzikore.

Zanafilla e veglave muzikore fillon me lahutën, instrument mijëravjeçar kordofon me një tel, me të cilën malësorët shoqëruan këngët epike të Ciklit të Kreshnikëve.

Nëpër kullota me bagëti barinjtë kalonin kohën nën tingujt e ngrohtë të fyellit, i cili  ka një përdorim shumë të hershëm dhe lidhet me jetën baritore. Malësorët këngët dhe vallet i shoqëruan gjithashtu me tingujt e ëmbël të çiftelisë. Tradita e përdorimit të këtyre instrumentave muzikor është ruajtur brez pas brezi. Çdo vit në Kelmend në eventin kulturor që zhvillohet në gusht “Logu i Bjeshkëve”, vallet dhe këngët shoqërohen me tingujt e këtyre instrumentave muzikor tradicional.

Lahuta

Është një vegël popullore me hark dhe me një kordë të përbërë prej qimeve të bishtit të kalit. Trupi i lahutës bëhet nga një copë e vetme druri (panje, arre, etj). Kasa ka trajt gjysëm sferike dhe mbulohet me lëkurë të regjur e cila mbërthehet në anët e saj me kunja druri. Harku i lahutës bëhet zakonisht nga druri i thanës, qimet lyhen me rrëshire pishe. Lahuta shpesh here është e zbukuruar me simbole kultesh të lashta si koka e dhisë, gjarpri, ose figura historike etj. Timbri i lahutës është hundor dhe përshtatet shumë mirë me përmbajtjen e këngëve epike. 

Fyelli

Vegël muzikore popullore me frymë, e njohur sidomos si vegla e barinjëve. Madhësia e fyellit është 18-20 cm . Fyelli ndërtohet prej drurit të bushit, të shtogut, të panjës, të arrës, por edhe nga gypa metalike, sidomos prej tunxhi e bronzi. Fyelli përdoret kryesisht nga burrat. Repertori i fyelltarëve përbëhet nga motive të mirënjohura kengësh dhe melodi baritore, kengë lirike etj. 

Çiftelia

Është vegël muzikore popullore me dy tela, që i bie me pende. Penda zakonisht nxirret nga lekura e trungut të qeshisë. Çiftelia ka tri pjesë: kupa, kapaku dhe bishti, madhësitë dhe trajtat ndryshojnë sipas krahinave. Bishti është i ndarë në 11 deri 13 perde. Zakonisht akordohet në kuart, përdoret gjithashtu edhe në sekonde, lart dhe poshtë, kuinte, unison dhe septim. Loja përqëndrohet në telin e parë, teli i dytë përdoret si mbështetje ritmike harmonike në trajtën e isos. Në repertorin e çiftelisë përfshihen kënge trimërie epike-lirike si dhe është një instrument që shoqëron vallet.

Këngët

Peisazhi alpin në dukje i ashpër,i ftohtë i egër me male te larta e të thepisura fsheh një simfoni të sajën krejt të veçantë të cilin duhet të jesh atje për ta ndjerë e shijuar. Era tek fershëllen në gryka e male, degët e gjethet e pemëve që dridhen si tela violine nën korin e zogjëve janë melodi që bashkëshoqërojnë jetën e banorëve të Kelmendit dhe Shkreli. Pikërisht në shtratin e këtij sfondi është rritur shpirti artistik i njerëzve. Kënga është bërë pjesë e pa ndarë në jetën e tyre.  Me këngët e djepit malësorët vënë fëmijën në gjumë, i këndojnë dashurisë, këndojnë në dasma dhe me këngë vaji përcjellin për në banesën e fundit njerëzit e tyre të dashur. Me këngët e kreshnikëve shkuan në luftë, përshkruan ngjarjet luftarake. Kënga është ajo që i rriti dhe i burrëroi malësorët.

Këngët e djepit, ninullat ose nina-nanat janë këngë të shkurtëra, me të cilat nëna vë në gjumë feminjën. Ato janë monologje intime poetike, ku prindërit shprehin dëshirat e tyre për fëmijët që janë të lidhura me urtësinë, dashurinë, trimërinë, shëndetin, jetën e gjatë etj. Zakonisht këto këngë fillojnë me fjalët: “nani-nani djalin/vajzën” ose “nina-nana”. Nëna e krahason vajzën me gonxhen e trëndafilit, me lulen e shegës, me mollën kurse djalin me pëllumbin, yllin. Shume i bukur është personifikimi i gjumit të cilin nëna e paraqet is pëllumb që vjen dhe e merr fëmijën në krahët e tij.

Këngët e dasmës janë mjaft të larmishme dhe u këndojnë bukurisë së çiftit. Bashkë me to këndohen edhe këngë të tjera dashurie, trimërie etj. Këngët e dashurisë kanë lirikë të pasur e të bukur erotike. i këndohet dashurisë së dlirë e të sinqertë të djalit e të vajzës, elegancës dhe bukurisë së vajzave.

Eposi i kreshnikëve (ose Cikli i kreshnikëve) është një epos legjendar i përbërë nga këngë të ndryshme epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë. Ky epos, që përbën një pjesë të rëndësishme të epikës legjendare shqiptare në përgjithësi, kryesisht për mesazhin e madh që sjell – rezistencën në emër të lirisë, të së drejtës e të dinjitetit, si dhe për vlerat e larta artistike.

Shpesh këngët marrin karakter fantastik, ku dalin besime e zakone të lashta dhe bëma me forca mbinjerëzore, të mbrojtura nga qëniet mitologjike.

Është mjaft e thellë bindja e malësoreve se “Këngët e kreshnikëve e burrërojnë njërin, e bëjnë trim, i japin zemër të durojë plumbin, gjakun luftërat”. Këto këngë janë kënduar tradicionalisht e janë dëgjuar me kënaqësi e nderim të veçante në kuvendet e gjera popullore, në dasma e festa të tjera apo pranë oxhakut të kullave karakteristike malësore netëve të gjata të dimrit, por edhe para fillimit të një beteje, madje edhe në zjarrminë e luftës. Ja pse shtëpia pa lahutë, shtëpia ku s’këndoheshin këngë kreshnikesh, konsiderohej si “shtepi e lanun”, që nuk meriton respekt.