NORA E KELMENDIT

Kelmendi njihet për luftime dhe bëma të mëdha nga trima dhe trimëresha, ndër to bën pjesë edhe Nora. Një malsore, të cilës Zoti përveç bukurisë i kishte falë dhe trimërinë e zgjuarsinë.

Në kohën e sundimit turk, Kelmendi ka luftuar për të mbrojtur trojet, por varfëria dhe i ftohti bënin të vetën.

Një ditë  hapet fjala se kushdo që në ato ditë do të dorëzohej, qoftë burrë apo grua, do të falej dhe do të dëmshpërblehej për dëmet e shkaktuara nga lufta. Por si kusht për këtë marrëveshje kelmendasit do t’i çonin Vuçi Pashës vajzën më të bukur të kësaj zone.

Në mbledhje për të vendosur se si do t’i përgjigjen Pashës ngrihet Nora dhe thotë: “Vllazën dhe motra unë nuk e mbaj veten për më të bukurën e këtyre maleve por jam e gatshme që unë të shkoj tek Vuçi Pasha dhe të kuvendoj me të ashtu siç ai ka kërkuar. Dijeni se unë nuk e di se çfarë fati kam, por u betohem për këtë qiell e për këtë tokë se e virgjër po shkoj dhe e tillë do të kthehem”.

Ditën që ajo vendos të bëhet gati të shkojë tek pashai zgjedh veshjen më të bukur që kishte gjithashtu edhe stolitë. Gjithashtu nuk harron që në brez të marrë me vete një thikë të hollë e të gjatë.

Kur shkon tek kampi turk ajo flet me rojën dhe i thotë që ka ardhur të takojë Pashain për marrëveshjen. Pasha e pret me shumë kënaqësi dhe turbullohet nga bukuria e Norës. Fillojnë bisedimet për marrëveshjen dhe Pasha do që të bindë Norën për dorëzim…. Nora e kupton kur është çasti për t’i ngulur thikën drejt e në zemër Pashës.

Pasha as mundi që të pëshpëriste më. Nora shpejt e shpejt pa u vënë re largohet nga kampi turk dhe nxiton që të shkojë dhe t’u japë lajmin e mirë kelmendasve, që Pashai s’është më. Ka kaluar shumë kohë por Nora dhe trimëria e zgjuarsia e saj nuk janë harruar.

About Author

admin