Kanioni i Poicës

Kanioni i Poicës

Ka një gjatësi prej rreth 40 km. Quhet përroi i thatë sepse pavarësisht se ndodhet në një nga zonat me më shumë reshje në Shqipëri, shtrati i tij nuk ka ujë. Për shkak të terrenit të theksuar karstik, në pjesën më të madhe të vitit ka rrjedhje nëntokësore, dhe rrjedhje mbitokësore ka vetëm gjatë dimrit në kohë rrebeshesh të mëdha.

Përroi (kanioni) fillon në malet e Shalës dhe Dukagjinit dhe përshkon mespërmes krejtësisht luginen e Shkrelit dhe përfundon në liqenin e Shkodrës. Në të gjithë gjatësinë e tij, pika më e thellë është në fshatin Dedaj, që shkon 50 – 60 m thellësi, ndërsa në Zagorë (Poicë) përroi ngushtohet duke formuar një kanion me thellësi 20 – 30 m. Këtu përroi ngushtohet aq shumë saqë ka vende ku drita nuk depërton, dhe kalimi në tërë gjatësinë e kanionit është i vështirë. Në faqet shkëmbore veprimtaria e ujit ka formuar guva e zgavrime karstike me forma shumë interesante,

disa prej të cilave, për nga madhësia mund të konsiderohen shpella.

Përthyerjet e dritës nëpër faqet shkëmbore i japin pamje të veçantë kanionit. Shëtitja në këtë pjesë mund të bëhet nga kushdo sepse nuk paraqet vështirësi.

About Author

laxaro