Kalaja e Ballexës (Kisha)

Kalaja e Ballexës (Kisha)

Qyteza e Balshajve përveç funksionit fetar ka qenë qendër e dinastisë së Balshajve dhe një kala strategjike e Gjergj Kastriotit Skënderbe, i cili e kishte vizituar në v. 1448.

Ajo formoi trajtat e një shteti etnik shqiptar në gjysmën e dytë të shek. XIV dhe fillimet e shek. XV, e cila sipas dokumenteve të Vatikanit ishte më origjinë nga Ballexa e Rrjollit dhe dallohet në luftën ndërballkanike kundër osmane të v. 1389 dhe në luftën kundër pushtuesit venedikas.

Emri Balesium del per herë të parë nga një leter që i drejtohet Arqipeshkevit të Tivarit në v. 1062 nga Papa Aleksander II, pasi kjo Ipeshkvi ishte në varësinë e tij. Në majen e Ballexës hasen disa rrënoja që njihen si Kisha e Ballexës. Prej saj ruhen një pjesë e mureve të godines dhe një fragment nga apsida, ku përmasat tregojnë për një ndërtesë të vogel me gjatësi 20 hapa dhe gjerësi 10 hapa. Shkatërrimi i Ballexës ka ardhur nga pushtuesi serb Stefan Dushani (1335-1355), që është rindërtuar përsëri nga dinastia e Balshajve, ku më pas nën pushtuesin venedikas fati i saj duket se nuk kishte qënë fatlum.

Nga “Regjistri i Kadastres së Shkodres i v. 1416 – 1417 (përpiluar nga Venediku) gjejmë të shkruar për Ballexën emrat katolikë të 25 kryefamiljarëve, ku bën përshtypje mbiemri Molasiri, i ngjashem me atë Malësori. Gjithashtu mësojmë se nga qyteza e Ballexës vareshin edhe fshatrat Zakoli, Braza, Dari, Leporosh dhe Zamaraki.

Albanologu kroat Milan Shuflaj në librin “Serbët dhe Shqiptarët”, thotë se historia e Ballexës mund të fillojë që në shek. e VII, pasi qyteti romak Dioklea u rrënua nga tërmeti i v. 518, ku pastaj u krijua grupi i qyteteve mesjetare Suacium, Drivastum, Balecium (Ballexa) dhe Danja.

Për Ballexën shkruan edhe historiani e shkencëtari i albanologjisë At Giuseppe Valentini, që e cilëson si një vend ku mblidheshin përfaqësuesit e bajraqeve të Malësisë së Madhe, dhe përmend si fise autoktonë Çangajt, Çokajt, Toskajt dhe Keqanajt.

Në këtë zonë, në prill të v. 1995 është gjetur një nga këmbanat e Kishës së Shen Gjergjit të Ballexës, për të cilat banorët thonë se jehona e tyre dëgjohej deri në fshatrat e Krajes dhe brigjet e Italisë, dhe që peshonte 155 kg. Në afërsi të kështjellës gjenden ende gjurmë që tregojnë për përdorimin e metaleve, për përgatitjen e veglave të punës, e të armëve të thjeshta, etj., që vërtetojnë edhe zhvillimin qytetar të kësaj qendre.

About Author

admin