Gruemire

Njësia Administrative Gruemirë – Malësi e Madhe

Njësia Administrative Gruemirë është njësia më e madhe e Bashkisë Malësi e Madhe. Shtrihet në veriperëndim të Shqipërisë dhe kufizohet me njësitë administrative Koplik, Qendër, Postribë dhe me Liqenin e Shkodrës. Kufinj të tjerë administrativë përkojnë me elemente natyrorë si: Përroi i Banushit në perëndim dhe Burimi i Vrakës në lindje.

Sipërfaqja e saj është 119.4 km2, zë 11.4% të hapësirës territoriale të qarkut ku bën pjesë. Territori administrativ i njësisë Gruemirë administron 7 km vijë liqenore dhe 4.003 ha tokë bujqësor, 192 km rrjet rrugor dhe përbëhet nga 29 fshatra ku më kryesoret janë: Gruemirë, Linaj, Kurtë, Rrash-Kullaj, Grudë, Vorfë, Boriç i Madh, Boriç i Vogël, Omaraj, Grill, Demiraj, Ktosh, Mushtjerra, Vajush, Lepurosh, Egç etj.

Njësia Administrative ndodhet në fshatin Gruemirë.

Pozita gjeografike favorizon klimë mesdhetare-kodrinore me verë të nxehtë e të thatë dhe dimër të butë e të lagësht. Temperaturat arrijnë 13-15°C në pranverë, 27-30°C në verë dhe 3-4°C në dimër.

Kushtet klimaterike favorizojnë rritjen e duhanit, sherbelës, shkozës, lisit, frashërit, thanës, kumbullës së egër etj., kultura për të cilat njësia vlerësohet me një rol primar.

Zona fushore përbën 36% (40.4km) ndërsa ajo malore 64% (71.5km).

Lagur në 7km nga liqeni I Shkodrës, njësia Gruemirë ofron një peisazh të mrekullueshëm dhe mjaft terheqës për banorët dhe një peisazh të pakrahasueshëm e një potencial turistik për të huajt.

Prezenca e burimit të Vrakës , përroit të Rrjollit dhe shumellojshmëria e kafshëve dhe shpendëve të egër plotëson profilin e njësisë si një mjedis tërheqës për zhvillimin e turizmit liqenor dhe sportit të gjuetisë.

Historiku I Gruemirës daton në shekullin e parë p.k. ku aty kanë jetuar fisi I parë I labeatëve e më pas me formimin  e Mbretërisë se Ilirisë në shek.IV-III p.k. u bë pjesë e Mbretërisë së Ardianëve.

Dëshmia më e gjallë për historinë e njësisë Gruemirë vjen nga albanologu austro –hungarez Teodor Ipen ne vitin 1905 I cili thotë “që në kohën e Skenderbeut po ngrihej mbi kalanë e qytetit të Ballezës një fortifikim si bazë për kundërvënie ndaj Venedikut”.

Në shek. IV-VIII vihet re tendenca për ndërtimin e kishave si: kisha e Shën Gjonit në Hysaj, e Fretërve në Letaj, e Shën Mërisë në Rrash, Linaj dhe dy kisha në Vorfë. Pjesë e trashëgimisë sonë janë kisha e Shën Gjonit dhe e Fretërve ndërsa të tjerat janë shkatërruar.

Prezenca e një numri të kalave dhe enëve prej metali është dëshmi e popullsisë së hershme aty.

Gruemira përmendet për herë të parë në kadastrën e Shkodrës në vitin 1416. Mendohet se emertimi ka ardhur nga një fis me emrin Gruemiri I cili kishte territorin e tij te lindjes në Gruemirë.

Ndërsa në kerkimet albanologjike është përbërës i grua + mirë (e mirë). Kjo ka cuar në teori që emri mund të jetë marrë pas udhëheqjes së fortë që një grua mund të ketë patur. Tjetër teori flet për renditjen e toponimit në defterin e Shkodrës në vitin 1485 pasi Kurumira përfaqëson një etimologi si përbërje e krua (pus)+ mirë.

Profili i saj kulturor plotësohet me vepra, si: Ura e vjetër me hark mbi sheun e Rrjollit në fshatin Ktosh e cila ka lidhur Malësine e Madhe me Shkodrën. Po ashtu në fshatin Gruemirë-çesme ndodhen rrenojat e një fshati i cili është shperngulur i tëri në Venedikt. Aty janë rrënojat e një kishe.

Duke iu referuar të dhënave arkeologjike, etnografike dhe gjuhësore, Gruemira e sotme vjen si vazhdimësi e kulturës Iliro-Arbëreshe-Shqiptare.