Bogë – Qafë e Bigës – Livadhet e Bogës – Qafa e Dobraçes – Nikç

Bogë – Qafë e Bigës – Livadhet e Bogës – Qafa e Dobraçes – Nikç

 

Distanca:              18.7 Km

Relievi                  min: 658m / max: 2222m

Kohëzgjatja:        9 Orë

Vështirësia:          Mesatare + 

 

Mbërrijmë në Bogë pasi kemi përshkuar 47 km nga Shkodra, 36 km nga Kopliku dhe 18 km nga Dedaj (qendra e komunës Shkrel). Dhe së fundmi  kalojmë nëpërmjet grykës së Lugjeve dhe hyjmë në luginën akullnajore të Bogës, që shtrihet në 950 m mbi nivelin e detit. Lugina Bogës është e rrethuar nga maja mbi 2000 m të larta: në jug me majën e Çardakut (2250 m), majën e Rrabës (2223 m) dhe nga lindja me majën e Shtegut (2109 m), vazhdojmë me majën e Vuklit  (2231 m), majën e Omekut (2103 m), majën e Irgut (2182 m), dhe me majën e Bridashes (2129 m), dhe më në brendësi me zonën e bukur të Bjeshkëve të Namuna, me majën e Livadhit      (2493 m), majën e Thatë (2543 m) dhe me majën e Radohimës (2570 m). Nëpërmjet këtyre maleve Boga mund të lidhet me fshatrat e tjerë: lidhet me Razmën, Fushëzezën, gropën e Vrinit. Mund të shkohet dhe në zonën e Kelmendit në Nikç, Broje e Kozhnje … lidhet gjithashtu me Thethin, Kaprren, si edhe me Planin, Xhanin, Pogun etj. Në Bogë, për arsye të formacionit karstik, gjenden shumë shpella, si: Shpella e Madhe në Bogë, Shpella e Gjek Markut -234 m ndodhet në gropën e Megzezës, Shpella e Sylikokës -505 m ndodhet në qafën e Bigës në Bridashe. Shpella Puçit, e thellë -370 dhe 5 km e gjatë, është e dyta në Shqipëri  për nga gjatësia, ajo ndodhet pranë majës së Çardakut. Shpella e Njerëzve të Lagur -520 m është e dyta për nga thellësia në Shqipëri. Më e thella e eksploruar deri tani ndodhet po në Bogë në malin  e Bridashes, e thellë -610 m. Shpella e Livadhit të Bogës, Shpella e Husit etj.

Ky shteg përfshin Bogën 950 m, Qafën e Bigës 1867 m dhe Qafën e Kuqe 2222 m, livadhet e Bogës 1756 m, Qafën e Dobraçes 1681 m dhe Nikçin 658 m.

Nga Boga tek Qafa e Bigës distanca është 3.2 km; nga Qafa e Bigës deri tek Qafa e Kuqe distanca eshte 4.5km; dhe nga Qafa e Kuqe – Livadhet e Bogës 2 km,   Livadhet e Bogës – Nikç 9 km. Në total shtegu zgjat 18.6 km.

Gjatë periudhës dimrit shtegu është i zënë nga dëbora. Dëbora shkrin në gjysmën e dytë të muajit maj. Shtegu lidh dy komuna, atë të Shkrelit me atë të Kelmendit. Shtegu është i gjatë dhe impenjativ, ai kalon dhe përshkon zonën më të bukur, atë të Bjeshkëve të Namuna. Bjeshkët e Namuna janë masivi malor më mahnitës dhe madhështor, me gërdhata (vend i zhveshur  me shkëmbinj), qafa e maja malesh mbi 2000 m, kullota alpine dhe kafshë të egra. Gjithashtu nga formacioni karstik përgjatë shtegut dhe në afërsi të tij ndodhen shpellat më të thella të zbuluara deri tani. Shpellat janë eksploruar nga ekspedita Shqiptaro-Bullgare gjatë viteve 1991 – 2003. Në Qafën e Bigës pranë Bridashes ndodhet shpella e Sylikokës, e thellë -505 m. Në Bridashe ndodhet shpella BB-30 -610 m emërtuar nga e njëjta ekspeditë. Ajo është dhe shpella më e thellë në Shqipëri e eksploruar deri më sot. Gjithashtu në Bridashe ndodhet shpella BB-33 -205 m. Duhet theksuar se përgjatë shtegut burimet e ujit janë tepër të pakët. Gjithashtu një pjesë e mirë e shtegut është e zhveshur nga pemët. Përpara se të nisesh është e rëndësishme të marrësh ujë dhe mjete mbrojtëse nga dielli.

Shtegu nis në qendër të Bogës, në rrugën e makinës (WP – 1). Nisemi në drejtim të veriut në  shtegun që të shpie në qafën Bigës, në të njëjtin shteg ndodhet dhe Shpella e Madhe e Bogës. Shtegu në të dy anët është i ngritur me mur guri dhe kryqet e drunjtë të shoqërojnë  deri tek hyrja e shpellës. (WP – 2). Shpella e Madhe e Bogës është e lartë dhe e gjerë dhe ka formën e një strehe. Duhet treguar kujdes gjatë qëndrimit në shpellë, sepse erozioni e ka thërrmuar dhe hera herës nga pjesa e sipërme e shpellës shkëputen gurë. E lemë shpellën dhe drejtohemi drejt shtegut që të shpie në qafë. Ecim në shtegun që është i zhveshur nga pemët, avancojmë dhe futemi ne hijen e pemëve të shkozës dhe hasim një degëzim (WP – 3) drejtohemi nga verilindja në shtegun që të shpie në qafë. Ngjitemi dhe bëjmë pak pushim pranë një lere bagëtie, nga këtu kemi dhe pamje të luginës Bogës dhe nga jugu shohim majën e Çardakut. I afrohemi qafës dhe shohim ndryshimet, shtegu bëhet më i pjerrët dhe ngjitja vazhdon mes gurajave dhe pemëve të  pishave që janë të rralla. Jemi pranë qafës dhe në të majtë të shtegut, nga perëndimi, në rrëzë të shkëmbit ndodhet shpella e Sylikokës -505 m (WP – 4). Shpella e Sylikokës është shpella e tretë për nga thellësia, jo larg prej këtu ngjitur me malin e Bridashes ndodhet dhe shpella më e thellë që është zbuluar deri më sot -610 m. Këtu është dhe Qafa e Bigës 1867 m (WP – 5), në rrëzë të majës së Bridashes. Këtu gjenden bimë mjekësore, si sanza ose bari i zemrës siç e emërtojnë vendasit, e cila përdoret gjerësisht. Kjo bimë ka qenë përdorur nga mbreti ilir Gent dhe në nder të tij ka marrë edhe emrin shkencor në latinisht Gentiana lutea. Kalojmë në korridorin e ngushtë shkëmbor të qafës dhe futemi në zonën e Bjeshkëve të Namuna. Ecim përmes gërdhatave  dhe përqark shohim njolla bore që nuk janë shkrirë ende; këto janë njëkohësisht dhe burime uji kur gjatë drekës moti nxehet dhe krijojnë rrjedha të vogla ku mund të mbushim ujë. Por gjatë fundit të korrikut dhe muajit gusht dëbora shkrin plotësisht dhe mbesin ato që gjenden në guva. Mbërrijmë tek shpella e Nolit (WP – 6). Shpellë me hyrje të ngushtë dhe sipërfaqe të vogël. Vazhdojmë në të tillë terren karstik mes gërdhatave dhe gurajave, groporeve, çetinës (pishë e zezë) dhe somunes (familja e dëllinjës/juniperos). Këto elemente i japin vrazhdësinë, por vrazhdësia përkthehet me bukurinë dhe magjinë e këtij vendi. Drejtohemi dhe ngjitemi në qafën më të lartë të shtegut. Në Qafën e Kuqe 2222 m (WP – 7). Kjo është dhe pika më e lartë e shtegut. Nga këtu kemi pamje mjaft të gjerë të majave përreth, shohim majat më të larta të bllokut të Radohimës. Në verilindje shohim majën e Rrushkullit 2496 m. Nga lindja shohim majën më të lartë – atë të Radohimës 2570 m. Ndërsa nga juglindja shohim Majën e Thatë     2543 m. Nga jugu Majën e Livadhit 2493 m dhe  nga veriu Majën e Kuqe 2434 m që ndodhet pranë qafës. Zbresim Qafën e Kuqe  dhe shohim livadhet e Bogës. Të bie në sy kontrasti që bën livadhi i sheshtë dhe i gjelbër me majat e larta ngjyrë gri që e rrethojnë. Ky livadh i shtohet bukurive të pafund të kësaj zone. Pak më poshtë duke ndjekur shtegun që të shpie në livadhin e Bogës hasemi me burimin ujit (WP – 8) që rrjedh poshtë Majës së Kuqe. Me gjasa gjatë muajve korrik-gusht uji shteron. Ndodhemi në livadhin e Bogës 1756 m (WP – 9). Ky është dhe vend i përshtatshëm dhe shumë i bukur për të ngritur kampin nëse synojmë ngjitjen e majave përreth.

Pasi kemi qëndruar dhe jemi çlodhur për disa çaste tek livadhi, vazhdojmë rrugëtimin pasi kemi ende edhe 9 km për të mbërritur në Nikç. Rrugës duke shkuar për tek liqeni i Bogës hasim një vathë bagëtie (WP – 10), disa sheshe të rrethuara me mur guri për të qëndruar bagëtia gjatë periudhës së verës. Mbërrijmë tek liqeni i Bogës (WP – 11. Liqeni ndodhet pranë majës Forca e Kelmendit në mes të pishave. Me perimetër afërsisht 250 m dhe rreth 1m i thellë. E lemë liqenin dhe nisemi drejt Qafës së Dobraçes, në shtegun që kalon në hijen e pishave. Pasi ecim rreth 2 km mbërrijmë në Qafën e Dobraçes 1681 m (WP – 12). Drejtohemi nga perëndimi dhe zbresim gradualisht në shtegun që është i markuar dhe që të dërgon në Nikç. Më poshtë përgjatë shtegut ndodhet burimi i ujit  (WP – 13). Ecim 4 km në shtegun që gjarpëron në brendësi të pyllit të dendur nga ahu dhe më së fundmi mbërrijmë në Nikç.

 

 

Atitude and longitude  Waypoints

 

1*  WP 1     N42° 23′ 58.4″ E19° 38′ 53.7″     950 m             Qendër Bogë

2*  WP 2     N42° 24′ 09.0″ E19° 38′ 55.7″   1010 m             Shpella e Madhe e Bogës

3*  WP 3     N42° 24′ 21.0″ E19° 39′ 08.6″   1162 m             Verilindje shtegu për Nikç

4*  WP 4     N42° 24′ 59.4″ E19° 39′ 25.8″   1858 m             Shpella e “Sylikokës” -505 m

5*  WP 5     N42° 24′ 59.4″ E19° 39′ 28.7″   1867 m             Qafa e Bigës

6*  WP 6     N42° 25′ 12.7″ E19° 40′ 02.3″   1919 m             Shpella e Nolit

7*  WP 7     N42° 25′ 46.4″ E19° 41′ 31.2″   2222 m             Qafa e Kuqe

8*  WP 8     N42° 25′ 57.1″ E19° 41′ 46.1″   2059 m             Burim uji, në gusht me gjasa shteron

9*  WP 9     N42° 26′ 11.9″ E19° 42′ 23.7″   1756 m             Livadhi i Bogës

10* WP 10  N42° 26′ 39.3″ E19° 42′ 47.9″  1822 m              Vathë, stan

11* WP 11  N42° 27′ 05.0″ E19° 42′ 44.5″  1795 m              Liqeni i Bogës

12* WP 12   N42° 27′ 43.8″ E19° 43′ 10.2″  1681 m             Qafa e Dobraçes

13* WP 13   N42° 27′ 40.6″ E19° 42′ 57.5″  1651 m             Burim uji

About Author

admin