Atraksione Shkrel

Shpella e Pucit

Kjo shpellë gjendët në fshatin Bogë, në shpatin verior të malit të Çardakut, në lartësinë 1087 m mbi nivelin e detit. Përbën një labirinth të vërtetë, me disa kate, me mbi 5 km gjatësi të mjediseve të saj dhe 370 m thellësi. Rradhitet në shpellat me të mëdha dhe më interesante të Europës. Është shpella më e thellë në Shqipëri dhe është pjesë e monumenteve të natyrës shqiptare. Ajo lidhet me shpellën e Husit me një galeri horizontale 275 m të gjatë dhe më pas vazhdon si një shpellë e veçantë, në fillim në formën e një pusi të madh vertikal, i cili në gjysmë thellësinë e tij degëzohet anash. Pjesa qendrore e shpellës është më interesante. Ajo përbëhet nga pesë kate, që lidhen me njeri tjetrin me puse vertikale dhe galeri të pjerrta, duke formuar kështu një labirinth të vërtetë, në të cilin e ke tepër të vështirë që të orientohesh. Këto janë mbushur me konkrecione kalciti me bukuri të rrallë. Në vazhdim të shpellës katet reduktohen në një galeri të vetme që zbret gradualisht deri në thellësinë 355 m (disniveli me sipërfaqen). Shpella nuk është eksploruar deri në fund. Hyrja dhe eksplorimi në këtë shpellë rekomandohet vetëm për speleologë.

Shpella e Cilikokajve

Ndodhet në lartësinë 1840 m mbi nivelin e detit, në shteg të Bridashës mbi fshatin Bogë. Emrin e ka marrë nga shpendët që futen aty për të kaluar natën. Përbën një pus të madh glacio-karstik të formuar në gëlqerorët e triasit të sipërm – jura e poshtëme. Gjerësia e hyrjes së tij është rreth 3 metra, thellësia e njohur deri tashti është – 505 m. Në brendësi ka ngushtime e zgjerime deri 20 – 40 m. Pusi ka konkrecione të shumta dhe akull fosil qysh nga periudha e kuaternarit. Hyrja është e mundur vetëm nga speleologët.

Shpella e Gjek Markut

Gjendet në qafën e Meksezës në fshatin Bogë në lartësinë 1800 m mbi nivelin e detit. Hyrja fillon me një vrimë me diametër 5 m. Me këtë gjërësi vazhdon deri në thellësinë 15 m, nga ku vazhdojnë dy oxhaqe të tjerë vertikalë deri në thellësinë 104 m, ku shfaqet një prag horizontal rreth 15 m dhe zë fill pusi kryesor 126 m i thellë. Ka edhe degëzime anësore ende të pa eksploruara. Thellësia e kësaj shpelle është 234 m. Në fund të shpellës ndodhen grumbuj gurësh, dëbore dhe akulli fosil. Kjo shpellë ka vlera të veçanta shkencore për arsye të ndërtimit gjeologjik, zhvillimit karstik në thellësi dhe botës së gjallë apo të fosilizuar në galeritë e sidomos në akullin e ruajtur në të qysh nga koha e kuaternarit. Hyrja dhe eksplorimi në këtë shpellë rekomandohet vetëm për speleologë.

Shpella e Njerëzve të Lagur

Gjendet në fshatin Bogë në shpatin juglindor të malit të Çardakut, në lartësinë 2050 m mbi nivelin e detit. Është shpella e dytë në Shqipëri për nga thellësia, 520 m. Kjo shpellë ka zhvillim kryesisht vertikal, me puse apo oxhaqe të shumta, që ndërthuren me galeri horizontale. Në galeritë horizontale ka konkrecione të shumta kalciti me bukuri të rralla. Eksplorimi i kësaj shpelle akoma nuk ka përfunduar. Hyrja dhe eksplorimi në këtë shpellë rekomandohet vetëm për speleologë.

Vulfenia e Shtegut të Dhenëve

Në Shtegun e Dhenëve pranë fshatit Bogë gjendet një bimë endemike e rrallë e zbuluar për herë të parë nga studiuesi Italian Antonio Baldaci në vitin 1903. Kjo bimë endemike takohet deri ne lartesitë 1700 m mbi nivelin e detit. Përbën një biotop me llojin endemik shqiptar të Vulfenia baldacci e shoqëruar me Arabis alpina, Rumevscutatus, Doronicum australis etj. Është bime barishtore me lartësi deri 25 cm, që çel në muajt qershor e korrik lule blu me shkëlqim. Është pjesë e monumenteve të natyrës shqiptare.

About Author

admin