Atraksione Kelmend

Kanioni i Gerçares

Ky kanion ndodhet në fshatin Vermosh, në lartësinë 900-950 m mbi nivelin e deti dhe pikërisht në lagjen Bashkim të Vermoshit, në dalje të luginës së Vermoshit. Nga gërryerja e ujërave të lumit të Vermoshit është formuar një grykë lumore shumë e ngushtë (kanion). Nëpër shkëmbinjtë gëlqeror, ujërat kanë formuar ulluqe dhe forma të veçanta. Kanioni ka gjatësi 1000-1100 m, gjerësi 4-6 m, mure vertikal me lartësi 30-40 m. Kanioni mund të vizitohet nëpërmjet itinerarit të Kanionit (Vermosh Bashkim-Ujëvara, Nr. 19), i cili kalon në shtigje të shenjuara, në një terren jo shumë të vështirë malor.

Ujëvara e Sllapit

Në fshatin Selcë, në vendin e quajtur Sllap, gjendet ujvara e bukur e Sllapit. Kjo ujëvarë fillon me një burim të fuqishëm që del nga një e çarë shkëmbi dhe rrëshqet disa metra nëpër një ulluk, që ka formuar prej vitesh. Pastaj ujërat e tij rrëzohen nga një lartësi afro 30 m, duke shkaktuar një zhurmë gjëmuese. Ujërat e ujëvarës “thërrmohen” në mijëra pikla, që ngrihen shpatit si një tym i hollë. Rrezet e diellit zbërthehen prej pluhurit të lëngshëm në ngjyra vezulluese, duke formuar ylbere. Ujëvara e Sllapit mund të arrihet nëse ndiqet një itinerar ecje malore jo i vështirë. Itinerari fillon pranë kishës së Selcës, të cilën nuk duhet  humbur rasti për ta vizituar dhe vazhdon në shtigje malore të shenjuara. Nën shoqërimin e udhërrëfyesve vendas do të njiheni me legjenda dhe të tjera gjëra interesante që do të ndeshni përgjatë rrugës për në Ujëvarën e Sllapit.

Skurra e Gjaçkës

Shpella e Gjaçkës apo siç njihet ndryshe Skurra e Gjaçkës, ndodhet në fshatin Nikç. Për të shkuar në këtë shpellë duhet ndjekur kjo rrugë: pa dalë në qendër të Nikçit merret rruga në krah të djathtë, shpella është vetëm 200 m larg nga rruga dhe mund të shihet nga këtu. Pranë hyrjes së shpellës ndodhen 2-3 pragje të vështira, të cilat mund të kalohen vetëm me anë të shkallës. Kur kalon pragjet të del përpara një hyrje e errët e lartë 20 m, e cila i ngjan një korridori me disa salla. Sallat e mëdha ndjekin njëra-tjetrën dhe në mure e tavane varen veprat e ujit. Gjatë rrugës gjen kolona shkëmbore, liqene nëntokësore etj.

Shpella e Malqe Grudës

Kjo shpellë gjendet në lartësinë 1165 m, rrëzë shkëmbit Malqe Grudë, në fshatin Tamarë. Për të shkuar tek kjo shpellë marrim rrugën nga qendra e Tamarës për në lagjen Pojatë e Sipërme, nga ku nis ngjitja për mal, për rreth 2 km. Kjo shpellë ka dy hyrje pranë njëra tjetrës, të cilat bashkohen në një udhë nëntokësore me gjatësi rreth 310 m. Gjatë udhës takohen hapësira deri në 25 m gjerësi dhe pas 95 m thellësi haset një ngushtim. Këtu takohen puse vertikale, një liqen i vogël, kolona, stalaktite e stalagmite. Nga fundi shpella degëzohet në 4 drejtime si korridore të ngushta. Eksplorimi i këtyre korridoreve nga vizitorët bëhet i pamundur për shkak të ngushtimit të tyre. Me ndihmën e udhërrëfyesve vendas do të mund të vizitoni këtë shpellë dhe të shihni pamje shumë të bukura nga lart, jo vetëm të fshatit Tamarë por dhe më gjerë.

Shpella e Vushës

Në fshatin Vukël, ndodhet shpella e Vushës. Kjo shpellë është afërsisht 1000 m larg nga qendra e Vuklit, nga ku rreth 500 m është rrugë nëpërmjet fshatit, kurse 500 m janë ngjitje për mal. Kjo shpellë është formuar në një tarracë çaklli, në formë harku, 60 m gjatësi dhe rreth 4 m lartësi. Shpella ka rreth 10 dhoma, disa të vogla dhe disa të tjera të mëdha, që mund të zënë dhe 10 vetë brenda. Këto dhoma janë të ndara nga kolona me gjatësi 1-3 m me forma interesante. Me ndihmën e udhërrëfyesve vendas do të mund të vizitoni këtë shpellë sa të veçantë aq dhe të bukur.

Forca e Kelmendit

Në fshatin Nikç, në të djathtë të Qafës së Dobraçes, ngrihet Forca e Kelmendit. Emri i tij përfaqëson jo vetëm  një vepër të fuqishme të natyrës por dhe forcën e Kelmendit, të treguar kundër pushtuesve osman.

Forca e Kelmendit ngrihet në një pllakë gëlqerore, 1000 m e lartë dhe 450 m e gjerë, në formë vezake. Skajet anësore të saj janë aq të pjerrëta sa janë të pakalueshme, ka vetëm një kalim nga lindja. Pranë hyrjes ka një burim uji që njihet si burimi i Samogradit.

Në shekullin e XVII, për arsye të sulmit nga forcat osmane, popullsia e Kelmedit u strehua në këtë “kala” natyrore, e cila meqë kishte vetëm një hyrje mund të mbrohej më lehtë. Gratë, fëmijët dhe bagëtitë u strehuan në shpellën e Zhareve ngjitur me forcën. Banorët ndenjën këtu për shumë kohë. Megjithëse iu mbaruan rezervat ushqimore dhe qenë të detyruar të hanin dhe lëvozhgat e drurëve ata nuk u dorëzuan. Ndaj dhe njihet si Forca e Kelmendit, që simbolizon qëndresën e pamposhtur të Kelmendasve.

Kanioni i Gerrlës

Ujërat e lumit Cem të Selcës (22.5 km), të cilat burojnë nga 1650 m lartësi në cirqet e Koprrishtit, duke rrjedhur herë shtruar e herë me furi kanë gërryer pak e nga pak shtratin e tyre duke formuar kanione. Në qendër të fshatit Selcë këto ujëra kanë formuar kanionin e Gerrlës, 900 m të gjatë dhe 25 m të thellë. Kanioni vende vende ngushtohet shumë sa kurorat e pemëve në të dy anët e kanionit takojnë njëra tjetrën dhe dëgjohen “dallgët” e shkumëzuara tek përplasen mbi shkëmbinjtë.

About Author

admin